Fig. 1: Analizë e lartësisë së gjeopotencialeve në 500 hPa dhe presionit atmosferik në nivelin e detit mbi kontinentin Europian.

 

Kupola anticiklonike e rrymave te ftohta që mbizotëroi në pjesën më të madhe të kontinentit për disa javë është në orët e fundit të rezistencës përballë rrymave të lagështa me origjinë Atlantike.

Me kalimin e ditëve aksi i rrymave ajrore mbi rajonin tonë do të marrë gjithnjë e më tepër karakter perëndimor dhe jugor, gjë që do të shoqërohet edhe me kalimin e disa fronteve të vranëta të njëpasnjëshme.

Vranësira e parë, me karakter prefrontal, ka prekur ditën e sotshme Shqipërine me reshje të lehta shiu në pjesën perëndimore dhe jugore të vendit. Pjesën e dytë të ditës së shtunë dhe pjesën e parë të ditës së dielë do të ndjekë kalimi i frontit të dytë të paqëndrueshëm, i cili duke filluar nga Veri-Perëndimi i vendit do të sjellë reshje të organizuara shiu.

Një front i tretë do të përshkojë vendin tonë mes datës 6 dhe 7 shkurt, këtë rradhë masat ajrore do të vijnë nga Jug-Perëndimi e për rrjedhojë pritet një rritje e mëtejshme të temperaturave. Gjatë ditëve në vijim reshjet e borës do të jenë të kufizuara përgjithësisht në lartësitë mbi 1000 metra në shkallë vendi. Temperaturat pritet të mbeten mbi vlerat mesatare të paktën edhe për javën në vijim dhe do të arrijnë pikun gjatë ditës së hënë me vlera deri në 18°C në jug dhe perëndim të vendit.

 

Fig. 2: Reshjet e parashikuara gjatë 72 orëve të ardhshme

 

Evolucioni i kushteve atmosferike gjatë 10-ditëshit të dytë të shkurtit mbetet ende i paqartë, por në vija të trasha mund të themi se pritet një rikthim i masave të ftohta me origjinë kontinentale të paktën në lindje dhe veri të kontinentit Europian.

 

Burimi: MeteoTirana dhe MeteoNetwork.it

 

© 2017 MeteoTirana