Vala e të ftohtit e Janarit 2017 preku kryesisht Europën Lindore, Qëndrore dhe atë Jugore (Mesdheun dhe Gadishullin Ballkanik). Kjo valë të ftohti mund të konsiderohet e përmasave historike për kohëzgjatjen e saj dhe gjithashtu intensitetin e të ftohtit, që la pas një bilanc tragjik prej mbi 60 të vdekurish në Europë.

Shkaktari e kësaj vale ishte presioni i lartë atmosferik i palëvizshëm mbi pjesën perëndimore të kontinentit dhe oqeanin Atlantik (siç mund të vihet re dhe nga animacioni i mëposhtëm) që shkaktoi zbritjen e erërave të akullta me origjinë arktiko-kontinentale prej Skandinavisë dhe Rusisë drejt pjesës qendër-lindore të kontinentit.

 

Fig. 1: Analizë e vlerës së presionit atmosferik në nivelin e detit 4-18 janar 2017.

 

 

Temperatura më e ulët në Europën perëndimore, prej -29,9°C u regjistrua në komunën e La Brévine në Zvicër më 6 janar, ndërsa vlera më e ulët në tërësi, prej -35,7°C, u regjistrua në Rusi në rajonin e Tver' më 8 janar.

Masat ajrore arktike në kontrast me ajrin e lagësht që mbizotëronte në rajonin e detit Mesdhe formuan një qendër të presionit të ulët në lëvizje prej detit Jon drejt detit Egje e më pas atij të Zi. Kjo solli reshje të dendura dhe të zgjatura në Gadishullin Ballkanik, të cilat ranë në sasi të mëdha dhe në formë bore deri në bregdet, edhe në vendin tonë.

Ndër ngjarjet historike që mund të përmendim për vendin tonë janë padiskutim bora në bregdet, dy herë në qytetin e Durrësit (mbrëmjen e 5-6 janarit si dhe atë të 11 janarit), bora në qytetet e Fierit e Sarandës dhe gjithashtu në Tiranë mbrëmjen e 11 janarit.

Vlera historike temperaturash u regjistruan në lindje të vendit nën -20°C, gjithashtu në Kosovë -20°C në qytetin e Prishtinës dhe -22,4°C në atë të Gjilanit.

 

Fig. 2: Analizë e temperaturave 5-13 janar 2017 (TMM - Temperatura mesatare e ditës, TM - Temperatura maksimale, Tm - Temperatura minimale, Δ - devijimi nga vlerat mesatare).

 

Tabela e mësipërme paraqet përmbledhjen e të dhënave të regjistruara në qytetin e Tiranës gjatë valës së të ftohtit. Sipas arkivit më të plotë online mbi qytetin e Tiranës nga meteoclimat.net, vlera minimale e regjistruar mëngjesin e 8 janarit 2017 prej -8,6°C renditet si vlera e 3 më e ulët e regjistruar prej vitit 1940 në qytet. Në renditje para saj janë vetëm -9,9°C të 15 janarit 1968 dhe -9,4°C të 2 shkurtit 1991.

8 janari është gjithashtu dita më e ftohtë e regjistruar prej 1940; mesatarja ditore prej -4,5°C, është më e ulta absolute në lidhje me të dhënat e këtij arkivi. Po ashtu, historike mbetet dhe maksimalja prej -0,7°C e 7 janarit, vlera maksimale më e ulët pas asaj prej -1,5°C e 3 janarit 1979.

Në grafiqet në vijim ju paraqesim punën e kryer prej nësh me anë të një studimi statistikor të arkivave të disponueshëm online. Kemi vendosur në një plan krahasimor të dhënat e valëve më të forta së të ftohtit regjistruar në qytetin e Tiranës prej vitit 1940.

Në bazë të kohëzgjatjes së tyre, sasisë së reshjeve, temperaturën e tyre mesatare si dhe ngjarjet ekstreme meteorologjike që ato kanë sjelle, kemi krijuar 3 indekse klasifikuese të cilat janë llogaritur sipas formulave që shoqërojnë grafiqet. Indeksi i Lagështisë është vlera e fituar nga pjestimi i sasisë totale të reshjeve me kohëzgjatjen e valës së të ftohtit, Indeksi i Temperaturës përftohet prej pjestimit të temperaturës mesatare të valës me kohëzgjatjen e saj, ndërsa Indeksi i Ekstremitetit duke pjestuar me kohëzgjatjen numrin e ngjarjeve ekstreme meteorologjike për qytetin e Tiranës, në të cilat kemi përfshirë numrin e temperaturave minimale nën -5°C, numrin e maksimaleve negative, numrin e ditëve me reshje bore si dhe numrin e ditëve me shpejtësi ere mbi 70 km/h.

Ajo çka bie në sy është se vala e janarit 2017 për qytetin ndonëse nuk është ndër më të ftohtat në lidhje me Indeksin e Temperaturës për shkak të kohëzgjatjes relativisht të shkurtër, është më ekstremja e renditjes.

 

Fig. 3: Grafiku i Indeksit të Valës llogaritur nga Meteo Tirana për valët kryesore së të ftohtit në qytetin e Tiranës (1940-2017).

 

Fig. 4: Grafiku i Indeksit të Ekstremitetit llogaritur nga Meteo Tirana për valët kryesore së të ftohtit në qytetin e Tiranës (1940-2017).

 

 

Burimi: MeteoTirana