07/01/2017  

Mbrëmjen e së enjtes rrymat e ftohta me origjinë arktiko-kontinentale prekën vendin tonë dhe do të vazhdojnë të na shoqërojnë edhe për disa ditë. Me uljen graduale të temperaturave, reshjet të cilat shoqëronin vendin tonë prej tanimë 3 ditësh u shndërruan në reshje bore edhe në disa zona të ulta të vendit. Ajo çka çuditi shumëkënd ishte fakti se reshjet e borës prekën zona bregdetare si qyteti i Durrësit, por munguan në kryeqytet duke zhgenjyer mjaft njerëz të cilët kishin pritshmëri falë sensacionalizmit mediatik të ditëve të fundit, fatkeqsisht.

Në fakt, në aspektin shkencor të ngjarjes nuk ka ndodhur asnjë çudi. Bërthama e të ftohtit formuar mbi rajonin ballkanik u tërhoq prej qendrës së presionit të ulët në lëvizje të ngadaltë drejt lindjes. Ajri i ftohtë hyri mbi detin Adriatik, ashtu siç pritej, nga veri/verilindja dhe në vendin tonë nga veriperëndimi, tërhequr nga qendra e presionit të ulët në largim.

Siç tregon imazhi i mëposhtëm (temperatura në 850hPa ose 1500m e orës 23 të së enjtes), ndërkohë që qendra e presionit të ulët tanimë e gjendur mbi detin Egje lëvizte në drejtim të lindjes, zona qëndrore dhe jugore e vendit ishin ende nën efektin e frontit të lagësht dhe temperaturat në kuotat e larta ishin ende relativisht të larta; thënë ndryshe, ajri i ftohtë ende nuk kishte hyrë. Zonat e para të vendit tonë që u prekën ishin ato veriore dhe bregu verior i detit Adriatik. Ajri i ftohtë depërtoi në Ultësirën Perëndimore nga deti, duke kontrastuar në këtë mënyrë me rrymat e lagështa që ende ishin prezente. 

Me depërtimin e ajrit të ftohtë në perëndim kolona e ajrit ishte optimale për reshje bore deri në nivelin e detit. Gjeografia, pra efekti i detit sigurisht ishte gjithashtu në favor të eventit historik të borës në bregdet duke intensifikuar reshjet dhe duke lënë shteg për një shtresë bore të konsiderueshme në qytetin e Durrësit dhe zona të tjera bregdetare në perëndim të vendit.

Pas depërtimit të rrymave të ftohta edhe në zonën qëndrore të vendit, reshjet e organizuara i kishin lenë vendin reshjeve të dobëta koreografike. Ishte pikërisht atëhere, më saktë rreth mesnatës, ku edhe në Tiranë pati reshje të lehta bore që zgjatën vetëm pak minuta. Orët e para të mëngjesit të së premtes reshjet u larguan nga zona perëndimore e vendit.

Mëngjesin e sotëm temperaturat kanë zbritur në vlera negative në të gjithë territorin e vendit. Në qytetin e Tiranës u regjistrua vlera minimale -5.8°C. Me përjashtim të zonave bregdetare, temperaturat do të mbeten në vlera negative edhe në vlerat e tyre maksimale.Dita e sotshme do të shënojë pikun e kësaj vale të të ftohtit që ka pushtuar vendin, të paktën në kuotë.  
 
Qendra e presionit të ulët është larguar gradualisht drejt Detit të Zi dhe duke filluar nga Ultësira Perëndimore, vranësirat do t'i lenë vendin kthjellimeve, falë të cilave mëngjesin e së dielës vlerat minimale priten të jenë edhe më të ulta.
 
 

 

Burimi: MeteoTirana 

 

© 2017 MeteoTirana